Epika legjendare
Forma më e përsosur e epikës legjendare është
eposi, tregimi poetik për ngjarje me rëndësi jetike në historinë e një kombi.
Eposi paraqitet në dy forma, si:
1. poemë e
gjatë (me një subjekt të caktuar)
2. në formë
ciklesh, këngësh të veçanta
Tiparet e Eposit të Kreshnikëve
1. Epizmi
(karakteri rrëfimtar)
2. Legjendariteti
(gërshetimi i elementeve reale me ato fantastike). Ashtu si në përrallat, e
çuditshmja është në bazë të mjaft ngjarjeve dhe personazheve, gjë që theksohet
edhe nga përdorimi i tepërt i hiperbolave.
3. Fryma
heroike (rrëfimi për ngjarjet dhe bëmat e heronjve)
4. Jeta dhe
njerëzit në këtë rapsodi u binden normave morale, shoqërore dhe psikologjike të
një kanuni të vjetër që nuk është më yni. Në këto këngë rrëmbimi i vajzave është
një dukuri e ligjshme, e moralshme e plotësisht e pranueshme.
5. Personazheve
u mungojnë tiparet e qarta personale të portretit; ata kanë epitete, metafora
dhe krahasime të përhershme që i karakterizojnë. Në këtë Epos heronjtë
pikturohen vetëm nëpërmjet veprimeve, nëpërmjet bëmave dhe heroizmave që
kryejnë.
Baza historike e eposit
Eposi
flet për kontaktet e hershme të popullit tonë me popujt e tjerë, por konflikti
kryesor i eposit është ai midis shqiptarëve dhe sllavëve të jugut. Historia
thotë se ky konflikt filloi me dyndjen e sllavëve në Ballkan dhe vazhdon edhe
sot e kësaj dite. Këtë konflikt eposi e ka që në lindjen e tij; ai gjendet në
thelb të të gjitha këngëve. Disa emra vendesh përbëjnë dëshminë e lashtësisë së
eposit. Kështu Jutbina, sot qytet i vogël në Kroaci, në gjeografinë e lashtë
tregon se dikur aty banonte një popullsi iliro - shqiptare.
Këngët heroike quhen këngë kreshnikësh, pas
fjalës serbokroate kraishnik, që do të thotë kufitar, ose luftëtar në kufi. Në
qendrën e ciklit të këngëve e të epove qëndron çifti i vëllezërve heroik Gjeto
Basha Muji dhe Halili. Si cilësi e veçantë e trimit na del një fuqi e jashtëzakonshme.
Ndaj dhe në përshkrimin e trimave ka shumë hiperbola. Fejesa dhe rrëmbimi i
nuses lozin një rol qendror në rapsodinë shqiptare. Rrëmbimi i nuses zihej si
një nga trimëritë më të mëdha. Ky motiv këndohet për Halilin te rapsodia “
Martesa e Halilit”. Agët përrallosen në
pije e sipër për Halilin që ka mbetur pa martuar dhe i bëjnë të vëllait të tij
këto pyetje: 1. Mos i dhimbsen paret e fejesës? 2. Mos është aq i shtrënguar sa
t’i dhimbsen harxhet e dasmës? 3. Mos nuk ka miq që t’i shkojnë krushq? Halili
betohet se nuk do të marrë grua tjetër veç Tanushës, të bijën e Krajlit të
Kotorrit. Si afat të nisjes për të rrëmbyer vashën caktohet, si formulë të
prerë, pranvera, kur dehet bora dhe çelet rruga nëpër male. Në këtë fragment
Halili niset i vetëm të rrëmbejë të bijën e krajlit. Rrugës ai mbrohet nga
dielli, hëna, orët. Kur arrin te lumi i Tunës (Danubi) takon Tanushën dhe për
t’iu fshehur 300 vajzave të tjera që e shoqëronin ai vishet si vajzë. Ndërkohë
e ëma e Tanushën sheh në ëndërr një tufë prej 300 delesh dhe në mes tufës një
ujk të zi. Menjëherë shkon te Krajli dhe i kërkon të shkojë të marri Tanushën.
Tanusha kthehet në Kotorr bashkë me Halilin e maskuar. Tri ditë e tri net
qëndron ajo e mbyllur në kullë me Halilin dhe mbas kësaj e ëma e tradhton.
Krajli e dëbon Tanushën nga shtëpia dhe Halilin e burgos në burgjet më të
thella. Në çastin e ekzekutimit Halili i lutet Krajlit që t’i jepte një lahutë
dhe të këndonte. Në këngën e tij ai i lutet bjeshkëve dhe mrizave, diellit
hënës, orëve etj për ndihmë. Këngën e tij e dëgjon një zog, që lajmëron Mujin
për çka ka ndodh. Me ndihmën e Mujit, Halili vret Krajlin dhe martohet me
Tanushën.
Mbi poetikën dhe vargëzimin e Eposit të
Kreshnikëve
1. Vargu i
Eposit është 10 rrokësh dhe është huazuar nga 10 rrokëshi serb
2. Gjuha e
përdorur është shumë e lashtë. Nuancën e vjetërsisë ia jep më dukshëm, ruajtja
e ë-së fundore, e cila në dialektin e gegërishtes pothuaj nuk ndihet fare sot.
3. Vargjet
janë pa rimë. Arsyeja është se vargjet ndërtohen sipas sistemit tonik, i cili
kërkon barazi ritmike dhe jo të rrokjeve. Kështu si operator ritëmformues hyjnë
në punë mjete të tilla si: përsëritja, aliteracioni, anafora,
epanastrofeja etj.
4. një dukuri
shumë e përhapur është ajo e formulësimit. Formulësimet janë grupe fjalësh (mund të jetë edhe një fjalë) që përdoren herë
pas here gjatë tregimit për të nënvizuar një ide dhe për të ndihmuar në
forcimin e stilit epiko-narrativ. Këngëtari popullor, duke pasur si rezerva këto
formulësime, ka gjatë rrugës disa pika mbështetjeje që e lejojnë në të njëjtën
kohë të improvizojë lirisht. Formulësime të përdorura shpesh janë edhe epitetet
e vazhdueshme, që këngëtari i ka të gatshme dhe i përdor me lehtësi, qoftë për
organizimin ritmik, qoftë për spikatjen e idesë.
5. Stili i
përdorur qëndron midis epikës dhe përrallores dhe rreh të japë madhështinë dhe
heroikën e trimave dhe të bëmave të tyre e, në të njejtën kohë, të shfaq
habinë, admirimin dhe entuziazmin, për gjithçka që tregohet, qoftë për njerëz,
qoftë për kafshë, për dukuri natyrore etj. Ja përse mënyra habitore zë kaq shumë
vend në to bashkë me përsëritjet, pyetjet retorike, formulësimet, hiperbolat,
inversionet, epitetet e vazhdueshme etj.
6. Cikli
shqiptar e ka zanafillën në shek XI-XII dhe cikli i formimit të tij duhet të
ketë përfunduar deri në shek XV, atëherë kur dalin armët e zjarrit.
Koment i këngës “Martesa e Halilit”
Subjekti zhvillohet
rrjedhshëm në një drejtim të vetëm:
a. shtrohet
problemi i martesës së Halilit (vargjet 1-71)
b. zhvillohet
veprimi me peripecitë për rrëmbimin e vashës ( 72-204)
c. zgjidhet
konflikti (205-230)
Rapsodia nis me
shkëlqimin e rrezeve të diellit në bardhësinë e borës dhe përfundon me zhurmën
e luftës e të kullave të krajlit që shemben, gjuhët e flakëve që bëjnë shkrumb
qytetin. Subjekti zë fill me një ngjarje midis njerëzish të zakonshëm dhe
veprimesh që janë pjesë e jetës së kreshnikëve si psh punët e malësisë, vajzat
kullotin bagëtinë, betimet apo mallkimet etj. Për sa i përket figuracionit
stilistik vihen re këto tipare:
1. në veprime
mbizotëron figura e hiperbolës
2. në
përshkrim mbizotëron epiteti dhe krahasimi
3. në
ndërtimin metrik mbizotërojnë anafora, aliteracioni, epanastrofeja, përsëritja
në fund dhe në fillim të vargut, rimat foljore, mbiemërore, emërore,
ndajfoljore.
Përshkrimi i
natyrës më tepër jepet në lëvizje, prandaj më tepër se me epitete dhe me
krahasime, përshkrimi i natyrës realizohet me personifikime, kontraste dhe
metafora:
Kontrast: fort po
shndrit aj diell e pak po nxeh
Metafora: ushtojnë
lugjet prej orteqesh
Personifikim: po
thot dielli: “a’ ndorja e eme” (shkrihet realja me fantastiken)
Përshkrimi i
mjedisit. Si shembull kemi kullën ku rri Tanusha. Përshkrimi jo vetëm që sjell
një informacion të pasur për vendin, për përmasat dhe arkitekturën , por ky
përshkrim duhet ta habisë aq shumë lexuesin sa atij t’i duket se ka ndrrue jet
(ka shkuar në parajsë).
Gjergj Elez Alia
Është
këngë epike legjendare, prandaj në tregimin e ngjarjes zë vend e
jashtëzakonshmja. Pavarësisht nga kjo në bazë të saj është e vërteta e jetës.
Tema e kësaj kënge është qëndresa e malësorëve kundrejt sulmeve të feudalëve të
huaj që përpiqeshin të depërtonin në malësi e të vendosnin aty pushtetin e
tyre. Mesazhi i këngës është se liria, nderi e dinjiteti mbrohen me armë, me
gjak e sakrifica. Misioni për të mbrojtur gjithçka autoktone i jep energji
mbinjerëzore heroit, i cili ka 9 vjet që lëngon në shtrat me 9 plagë në trup.
Nënta është numër simbolik në krijimtarinë gojore. Motra e tij kryen disa role
njëherësh: të motrës, nënës, mjekes, shërbyeses. Shfaqja e personazhit të tretë
e intrigon ngjarjen. Ai përshkruhet me disa epitete: i zi, i keq, i egër etj.
Balozi do t’i prekë malësorët në kodet e shenjta morale: në nderin e familjes,
e pronës, e burrit etj. Dyluftimi përshkruhet duke gërshetuar elemente reale me
ato të hiperbolizuara. Përshkrimi është lakonik si tek “Martesa e Halilit”.
Vetëm me 10 vargje gjithçka që ka filluar merr fund me fitoren e Gjergjit.
Në këngët epike si
dhe në përrallat etj. Shpeshherë rapsodët apo tregimtarët përsëritin disa
vargje në pjesë të ndryshme të tregimit të tyre. Një përsëritje e tillë lidh më
mirë pjesët e tregimit, i jep këtij një frymë më popullore dhe e bën këtë
tregim më të gjallë. Rapsodi ka përdorur në këtë këngë mënyrën e zhveshjes së
subjektit, domethënë është ndalur vetëm në përshkrimet dhe ngjarjet më
kryesore, të tjerat i ka hequr. Figurat letrare mbizotëruese janë:
Hiperbola: p.sh mbi
figurën e Balozit. Këto i shërbejnë theksimit të idesë se malësori shqiptarë ka
përballë armiq të rrezikshëm, dhe se po tregohet për diçka të madhe që ia vlen
të tregohet.
Personifikimi: më
domethënës është ai i qyqes. Në këngën e saj vihen re nota lirike që anon nga
vajtimi, të cilat theksohen nëpërmjet anaforave. Zëri i qyqes është zëri i
rapsodit që shpreh shqetësim dhe tronditje, sepse qyqja e gjen blirin të tharë
dhe shtëpinë të rrënuar. Në këtë personifikim është dhënë hapur brenga se mos
harrohet kjo figurë dhe kjo ngjarje. Mbyllja e këngës me vdekjen e
përnjëhershme të dy heronjve nuk është i zakonshëm për këngët epiko-heroike dhe
në këtë pikë ngjason me baladat.
No comments:
Post a Comment